APP LAUNCH · 2026-10-07
← BLOG
UDHËZUES / PAJISJET

Çka të duhet për shtigjet offroad: pajisjet, tërheqja, gomat dhe ngritja

FIG. 01 · UDHËZUES / PAJISJET
Automjeti 4x4 i themeluesit në një kodër në Kosovë
2026-09-283 MIN LEXIM

Lista e plotë e pajisjeve për offroad në Kosovë: çka duhet me pas gjithmonë, pajisjet e tërheqjes, gomat A/T apo M/T, ngritja dhe komunikimi pa sinjal.

S’të duhet vetura ma e shtrenjtë në mal. Të duhen pajisjet e duhura dhe dija me i përdor. Kjo listë është e ndarë në nivele: çka duhet me pas gjithmonë, çka shton për shtigjet E Vështirë, dhe çka i duhet veturës për nivelin Ekspert.

Filozofia

Së pari dil, pastaj modifiko. Shumica e shtigjeve E Lehtë dhe E Mesme në Kosovë kalohen me veturë standarde 4x4. Mëso veturën tënde para se me ble pjesë.

1. Gjithmonë në veturë (çdo shteg)

  • Goma rezervë me madhësi të plotë, krik dhe çelës për goma
  • Kompresor ajri dhe matës presioni: ul presionin në shteg, rrite para asfaltit
  • Set për riparim gome (tapa për shpim)
  • Pajisjet e detyrueshme në Kosovë: jelek reflektues, trekëndësh, çantë e ndihmës së parë, aparat zjarrfikës. Shih Udhërrëfyesin.
  • Harta offline: shkarkoji para se me u nis, sepse në mal shpesh s’ka sinjal
  • Ujë, ushqim për një ditë ma shumë se sa planifikon, batëri e jashtme për telefon
  • Llambë dore ose ball, doreza pune, thika ose vegël shumëfunksionale

2. Pajisjet e tërheqjes (E Vështirë e ma lart)

Kur mbetesh në baltë ose në gurë, këto të nxjerrin. Bli pajisje të certifikuara me ngarkesë të shënuar, jo litarë të rastësishëm.

PajisjaPër çka shërben
Litar kinetik (ose rrip tërheqjeje)Tërheqje prej veturës tjetër; ai kinetik zgjatet dhe e bën tërheqjen ma të butë
Shakëlla të buta (soft shackles)Lidhje e sigurt mes litarit dhe veturës
Dërrasa tërheqjeje (traction boards)Nën goma në baltë, rërë ose borë, kur s’ke kush të tërheq
LopatëPastron baltën para gomave dhe poshtë veturës
Pika tërheqjeje të certifikuaraTë lidhura në shasi. Mos tërhiq kurrë prej topit të rimorkios
Winch (çikrik)Për nivelin Ekspert e Ekstreme, kur je vetëm ose në pjerrtësi
Siguria gjatë tërheqjes

Litari nën tension mundet me u këput e me fluturu. Largoji njerëzit anash, vendos një peshë (xhaketë ose çantë) mbi litar dhe mos e lidh kurrë në topin e rimorkios.

3. Gomat: A/T apo M/T?

LlojiKu shkon mirëMinuset
A/T (all-terrain)Zhavorr, gurë, pak baltë, edhe asfalt çdo ditëNë baltë të thellë mbushen shpejt
M/T (mud-terrain)Baltë, gurë të mëdhenj, shtigje EkspertMa të zhurmshme e ma pak kapje në asfalt të lagur

Për shumicën e njerëzve në Kosovë, një gomë e mirë A/T është zgjedhja ma e mençur: e përdor për punë gjatë javës dhe në mal në fundjavë. M/T ka kuptim kur shkon shpesh në shtigje me baltë e hije.

4. Ngritja (lift) dhe mbrojtja

  • Ngritja (amortizim i ngritur) e largon veturën prej tokës dhe të jep vend për goma ma të mëdha. Fillo me pak (rreth 5 cm) dhe me suspension cilësor.
  • Mbrojtja poshtë (skid plates) ruan motorin, kutinë e shpejtësive dhe rezervuarin prej gurëve.
  • Bllokuesit e diferencialit janë për nivelin Ekstreme. S’janë hapi i parë.
  • Çdo modifikim e ndryshon sjelljen e veturës në asfalt. Kontrollo edhe rregullat e homologimit para se me ndryshu gomat ose suspensionin.

5. Komunikimi kur s’ka sinjal

  • Radio FOL në aplikacion: si radio dore për konvojin, prej telefoni në telefon, pa sinjal.
  • Konvoj në aplikacion: i sheh krejt veturat e grupit në hartë.
  • Për vende shumë të largëta, një komunikues satelitor është sigurimi ma i mirë.
  • Ruaje 112 dhe thuaj dikujt ku po shkon e kur kthehesh.

Lista e shkurtër sipas nivelit

NiveliMinimumi
E LehtëGoma rezervë, pajisjet e detyrueshme, harta offline, ujë
E Mesme+ kompresor, set riparimi gome, goma A/T
E Vështirë+ litar, shakëlla, lopatë, dërrasa, minimum 2 vetura
Ekspert+ goma M/T, ngritje, mbrojtje poshtë, pika tërheqjeje, winch
Ekstreme+ bllokues, spotter, grup me përvojë

Nuk e di çka do të thotë secili nivel? Lexo shpjegimin e vështirësisë së shtigjeve.

Pyetje të shpeshta

A mundem me shku offroad pa asnjë modifikim?

Po. Shumica e shtigjeve E Lehtë dhe E Mesme në Kosovë kalohen me SUV ose 4x4 standard me goma të mira. Modifikimet kanë kuptim për nivelin Ekspert.

Sa duhet me e ul presionin e gomave?

Varet prej gomës e veturës. Shumë shoferë ulin rreth një të tretën për tërheqje ma të mirë, por mos ul aq sa goma me dal prej rrethit. Rrite gjithmonë para asfaltit.

Çka është pajisja ma e rëndësishme e tërheqjes?

Një shok me veturë të dytë. Pastaj litari, shakëllat dhe lopata.

KONTROLLUAR PËR HERË TË FUNDIT: 2026-09-28

APLIKACIONI OVERLAND KOSOVA

GATI PËR TË DALË?

Harta offline, shtigje dhe kampe për krejt Kosovën.

SHKARKO FALASGOOGLE PLAYTEST MODE
SHKARKO FALASAPP STORESE SHPEJTI